Kultura shqipëtare është një kulturë e lashtë autoktone, por e shkruar relativisht vonë. Ajo ndjek vazhdimësinë e  kulturës së lashtë ilire dhe është e krijuar në një udhëkryq ngjarjesh dhe epokash ndërmjet Perëndimit e Lindjes, duke ruajtur dhe krijuar mëvetësinë e saj.

Të ndodhur përballë këtij fenomeni, studiuesit shqiptarë dhe të huaj, identitetin historik të kulturës shqiptarë e kanë vendosur thellë në kohë duke e mbështetur në kulturën popullore kolektive, e cila i bën ballë kohës dhe asimilimit të huaj. Ndërsa, siç dihet, kultura e shkrimit është kulturë vetiake dhe për këtë është më e lehtë të kontrollohet dhe të pengohet.
Pa marrë parasysh që shumë dijetarë me origjinë ilire e shqipëtare u bënë të njohur në kultura të tjera të shkruara, duke filluar nga Shën Jeronimi e këndej, shqipja e shkruar dëshmohet vetëm në shekullin XV, në kohën e Gjergj Kastriotit, ku edhe shprehet fuqishëm një identitet shqiptar përpara vetvetes dhe përpara botës.

Dokumentet e para të shipes së shkruar janë të shekullit XV dhe dëshmojnë për të dyja dialektet e shqipes.

 

1. Formula e Pagëzimit (1462)
Dokumenti më i vjetër i shqipës së shkruar që njihet deri më sot, është një formulë e pagëzimit. Fraza shqipe ndodhet në një letër qarkore në latinisht që e kishte shkruar dhe nënshkruar kryeipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli, në Mat, më 8 nëntor 1462.
Formula në gjuhën shqipe është kjo:

Un të pagëzoj p’r emnit (t’) atit e t’Birit e t’Shpertit Shenjt.

Ajo u shkrua për të ndihmuar banorët e krahinave të largëta, që t’i pagëzonin fëmijët në shtëpi, në pamundësi për t’i shpënë në kishë në rast rreziku. Fraza është në dialektin gegë. Këtë dokument e zbuloi dhe e botoi i pari më 1915, historiani rumun Nikollae Jorga.

 

2. Fjalorthi i Arnold Von Harfit (1497)
Kalorësi gjerman Arnold Von Harf gjatë udhëtimit për në Palestinë, kur ndodhej në bregdetin shqipëtar ndërmjet Tivarit dhe Ulqinit, shënoi disa fjalë shqipe të cilat i duheshin për nevojat e tij gjatë udhëtimit. Ky fjalorth ka 26 fjalë, 8 fraza e disa numërorë dhe pranë tyre ndodhen edhe kuptimet në gjuhën gjermane.

 

boicke bukë
vene venë
oie ujë
mische mish
jat gjathë, djathë
foeije voe, vezë
oitter uthër, uthull, ufull
poylle pulë
pyske pishk, peshk
krup krypë
myr mirë
kyckge keq
megarune me ngranë
pijne pim
taurne tavernë, pijetore
geneyre një nier
groëa grua
denarye denari
sto ‘shtu, po
jae ja, jo
criste Krisht
dreck dreq
kijrij qiri
kale kal
elbe elb
fijet fjetë
mirenstrasse mirë ndesh të rasha
mireprama Mirë mbrama
meretzeëen mirë se vjen
ake ja kasse zet ve a ke gjakafshë të re
kess felgen gyo kaffs qish blen kjo kafshë
do daple do t’a blej
laff ne kamnijss lajm një këmishë
ne kaffs një kafshë

 

3. Ungjilli i Pashkëve (shek. XV)
Ky dokument është gjetur brenda një dorëshkrimi greqisht të shekullit XIV. Nisur nga kjo, Don Nil Borgia, që më 1930 e botoi tekstin e plotë me fototipi, kujtoi se edhe dorëshkrimi ishte i asaj kohe. Mirëpo, albanologu freng Mario Roku, pas studimesh të kryera, zbuloi se teksti shqip i përket fundit të shekullit XV. Teksti shqip ka dy faqe. Në faqen A është një përkthim i vjershave 62 deri 66 të kreut XXVII të Ungjillit të Shën Mateut. Në faqen B, pas notave muzikore të një kënge pashkësh, nën tekstin greqisht, është përkthimi shqip, që kënga mund të këndohet edhe në shqip.
Ndonëse dokumenti është shkruar me alfabet grek, ai ka rëndësi gjuhësore sepse dëshmon për dokumentin e parë në dialektin toskë.

 

 

Albanologu i madh shqiptar, Eqrem Çabej, duke vlerësuar sigurinë e shkrimit të shqipes në Mesharin e Gjon Buzukut (1555), në mënyrë të ndërmjetme pohon se para tij duhet të ketë pasur libra në shqip.

Dijetari tjetër shqiptar, Faik Konica, në moshën e shkrimit shqip e shpie edhe më tej në të kaluarën dhe përpiqet t’a vendosë në kohë. Duke vlerësuar dëshminë e murgut gjerman Brokardi (Brocardus Teutonicus) të vitit 1332 se:
Shqipëtarët ndonëse kanë një gjuhë krejtësisht tjetër nga latinët, në librat e tyre përdorin alfabetin latin, Konica parashtron se kishte shkrime shqipa përpara këtij viti. Shfaqjen e këtyre shkrimeve ai e lidh me shpalljen e Sharl Anzhuit mbret të Shqipërisë më 1272, ku shqipja si gjuhë popullore do të përdorej thjesht për të lehtësuar veprimtaritë shtetërore. Duke përkrahur mendimin e Milan Shuflajit se nëkëtë kohë Shqipëria ishte më tepër një zgjatje apo një vazhdim kulturor e tregtar i Italisë se sa një rajon nën ndikimin bizantin, shkrimin shqip Konica e sheh të jetë shfaqur diku kah fundi i shekullit XII, atëherë kur edhe Italishja popullore ishte nisur t’ia zinte vendin  latinishtes.

Hipoteza e Faik Konicës shkon deri në caktimin se prej çfarë përbëhej letërsia shqipe në atë kohë, ai pohon se librat përbëheshin nga “një varg poezish e romanesh kalorsiake”; sipar tij ka pasur libra “me kallëzime apo me anektoda”; por numri më i madh do të ketë qenë “libra fetarë dhe libra pieteti”. Hipotezën e vet dhe kërkimin mbrapavështrues të shkrimit shqip edhe Konica e mbështet te shkrimtarët e vjetër shqiptarë të shekujve XVI dhe XVII, autorë librash fetarë që flasin me radhë për dorëshkrimet e vjetra që i ruanin.